E dyshuara për dy vrasje në Majac të Podujevës në gjendje kritike në QKUK

Ardita Gashi, e dyshuara për ngjarjen e rëndë kriminale në fshatin Majac të Podujevës, ku humbën jetën dy persona, ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohet në Kujdesin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), 31-vjeçarja është duke marrë trajtim intensiv mjekësor, pasi kishte pësuar lëndime të rënda pas incidentit të së dielës mbrëma.

Ajo dyshohet se fillimisht ka qëlluar për vdekje Ilaz Brahimin, 42 vjeçar nga Obiliqi, me të cilin, sipas raportimeve, kishte qenë në lidhje personale. Nga të shtënat me armë zjarri kishte mbetur e plagosur rëndë edhe Miradije Gashi, 68 vjeçare, e cila më vonë ndërroi jetë në QKUK, duke e çuar bilancin e rastit në dy viktima.

Pas ngjarjes, e dyshuara dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës, duke mbetur e plagosur rëndë.

Autoritetet e drejtësisë kanë ricilësuar rastin si “vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike janë duke vazhduar.