Është rënduar bilanci i ngjarjes tragjike që ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, pasi njëra nga personat e plagosur nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Miradije Gashi, 68 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda gjatë incidentit, ka ndërruar jetë në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar, raportojnë mediat vendore.
Ngjarja tragjike në Majac të Podujevës: Vijojnë hetimet për vrasjen, dy të plagosurat jashtë rrezikut për jetë
Sipas informacioneve të raportuara, ajo ishte plagosur brenda shtëpisë së saj në një incident të armatosur, ku e dyshuara kryesore është Ardita Gashi. E njëjta dyshohet se paraprakisht kishte qëlluar për vdekje edhe Ilaz Brahimin, duke e çuar numrin e viktimave në dy.
Pas ngjarjes, e dyshuara dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës, duke mbetur e plagosur rëndë. Aktualisht ajo po trajtohet nën mbikëqyrje mjekësore në QKUK.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është ricilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa organet e rendit janë duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur zonën e Podujevës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se detaje të tjera pritet të publikohen pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.