Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të gushtit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, brenda afatit kushtetues për formimin e legjislaturës së re.

Haxhiu tha se institucioni i Presidencës ka vendosur t’u japë më shumë kohë partive politike për të zhvilluar bisedime me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi se vonesa në caktimin e datës së seancës lidhet me përpjekjet për t’u krijuar hapësirë subjekteve politike që të vazhdojnë negociatat për formimin e institucioneve të reja.

“U kemi dhënë kohë partive politike për takime para se ta thërrasim seancën konstituive”, u shpreh ushtruesja e detyrës së presidentes.

Sipas Haxhiut, data dhe ora e saktë e seancës konstituive do të bëhen publike gjatë javës së ardhshme, ndërsa afati kushtetues për thirrjen e saj përfundon më 7 gusht.