Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kushtëzuar rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve të marra, duke bërë thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me aleatin kryesor të vendit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se ky zhvillim duhet të shërbejë si një alarm serioz për institucionet e Kosovës, duke theksuar se SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri më i rëndësishëm i vendit në rrugën drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar.
“Kosova nuk guxon ta humbasë besimin e aleatit të saj më të madh – SHBA-së. Çdo ftohje e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndikon jo vetëm në aspektin politik, por edhe në klimën ekonomike, besimin e investitorëve dhe perspektivën zhvillimore të vendit”, deklaroi Shahini.
Sipas tij, komuniteti i biznesit ka nevojë për stabilitet politik, partneritet të qëndrueshëm dhe besueshmëri ndërkombëtare, pasi këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Shahini theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe rendin e saj kushtetues, por në të njëjtën kohë të ndërtojë politika të koordinuara me aleatët dhe të respektojë obligimet që ka marrë në proceset ndërkombëtare.
“Diplomacia nuk është dobësi; ajo është mjeti më i fuqishëm për të mbrojtur interesin shtetëror. Interesi i Republikës së Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesat politike dhe partiake”, u shpreh ai.
Në fund, kryetari i AKB-së bëri thirrje për unitet institucional dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.
“Vetëm përmes unitetit, përgjegjësisë institucionale dhe partneritetit të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt, më të zhvilluar dhe më të begatë për qytetarët e Kosovës. Miqësitë strategjike ndërtohen me përgjegjësi, dialog dhe respekt ndaj zotimeve të marra”, përfundoi Shahini.