Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e ka vlerësuar heqjen e masave nga Bashkimi Evropian si një korrigjim të vonuar të një padrejtësie ndaj ekonomisë së Kosovës, duke theksuar se dëmet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë të konsiderueshme për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas AKB-së, fakti që Kosova u vendos nën masa ndëshkuese paraqet një dështim të qartë të institucioneve vendore dhe të qasjes politike, e cila – sipas tyre – për interesa të ngushta rrezikoi ekonominë, sektorin privat dhe partneritetin strategjik me BE-në.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si dhe ndryshim të kursit politik, duke theksuar se ekonomia e Kosovës nuk duhet të jetë më viktimë e vendimeve të papërgjegjshme politike.
Ai shtoi se rikthimi i besimit të partnerëve ndërkombëtarë duhet të jetë prioritet, ndërsa institucionet duhet të fokusohen në stabilitet ekonomik dhe mbështetje konkrete për bizneset vendore.