Konfirmohen dy rastet e para të Omicronit në Shqipëri

Varianti Omicron, i identifikuar tashmë në shumë vende të botës, ka mbërritur edhe në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në këtë mbledhje u bë e të ditur se aktualisht në Shqipëri janë konfirmuar dy raste me variantin Omicron.

Drejtoresha e ISHP-së tha se dyshimi për prezencën e tij në Shqipëri është konfirmuar pas analizave të kryera në Gjermani. Tha se edhe pse ky variant i virusit është konfirmuar në vend, aktualisht, vazhdon të jetë dominues varianti tjetër, Delta.

Tomini theksoi se në bazë edhe të raportimeve, në Shqipëri situata epidemiologjike është e qëndrueshme në dy javët e fundit. Tomini bëri apel më tej që të respektohen masat e vendosura, si dhe të përshpejtohet procesi i vaksinimit për të rritur imunitetin e popullatës.