Kritika opozitës, mediave e ndërkombëtarëve: Çfarë ndodhi në protestën e çuditshme pro Kurtit?

Një protestë e çuditshme ka ndodhur sot në Prishtinë. Nuk kishte ndonjë kërkesë e as ndonjë pakënaqësi. Në fakt kishte kënaqësi. Kënaqësi me pushtetin e drejtuar nga Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Një djalosh nga Açareva e Skënderajt mblodhi qindra qytetarë në sheshin “Skënderbeu”. Aty u kritikua opozita, u kritikuan mediat e analistët, madje edhe ndërkombëtarët. U mbështetën Kurti e Osmani, duke i krahasuar edhe me komandantin Adem Jashari.

Albert Shabani organizator i kësaj proteste, e nisi fjalimin duke i cilësuar pjesëmarrësit si familje, raporton Nacionale.

“Po iu konsideroj sikur familjen time. Ta respektojmë marshin tonë, të mos përdorim fjalë banale apo urrejtje dhe të mos vazhdojmë më tutje përpara. Të japim shembull për të mirë”, tha ai para qytetarëve.

E më pas, ai tregoi pse u mblodhën për të protestuar.

“Sot kemi ardhur që t’i tregojmë opozitës sepse veprat e juaja në pushtet e kaluara, kanë vdekur me ardhjen e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në pushtet, dhe kurrë më nuk do të vijnë”, deklaroi Albert Shabani, organizator i marshit.

U kritikua edhe faktori ndërkombëtar. Atyre iu kërkua që të mos ia mbajnë anën Serbisë.

“Sot kemi dalur këtu për t’i dhënë mesazhe edhe faktorit ndërkombëtar, pavarësisht ndihmës që na kanë dhënë si shtet, por që sot jemi të pakënaqur me presionin që po na bëhet neve. Ne jemi viktima, andaj e lutim faktorin ndërkombëtar që presionin ta shtojë mbi Serbinë, sepse ata kanë vrarë e masakruar, Kosova meriton mbështetje të fuqishme”,deklaroi Albert Shabani.

E në një protestë pro-Kurtit nuk ka se si të mos kritikohen mediat e analistët. 

“Duhet t’ua japim një mesazh edhe mediave, e analistëve të cilët po prononcohen e po shihet të njëanshëm duke ia mbajtur krahun opozitës. Punën po e bëni me informacione të pavërteta. Ju mundeni me bo cka të doni, por me këtë popull kurrë e sa të jemi gjallë”, deklaroi Albert Shabani para qytetarëve.

E një protestues tjetër që mori fjalën, paralajmëroi se kombi shqiptar do të ngritët në luftë, e nuk do të lejojë cenimin e asnjë metri të territorit.

“Një protestues: Qytetar të Kosovës, nuk i lejojmë pazaret me integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Le ta dijnë krejt perëndimi se për një metër tokë të Kosovës, krejt kombi shqiptar do të hyjë në luftë pa vullnetin tonë sepse është luftë e nxitur nga Millosheviqi. Populli i Kosovën dëshiron qetësinë e lirinë, me dinjitet e krenari. Kanë marrë fundet pazaret”, deklaroi një nga protestuesit.

Protesta u shoqërua me thirrje “Albin ti ku je Diasporën këtu ke”, “Albin Kurti”, “Vetëvendosje”.