Kurti: Nga dialogu parimor përfitojnë qytetarët e dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se plani franko-gjerman është bazë e mirë për të bërë përparime në dialogun në Serbinë, ndërsa tha se duhet dialog parimor, nga i cili të përfitojnë qytetarët e dy vendeve.

Këto diskutime Kurti e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i bënë të martën me përfaqësuesin e përhershëm të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier. Zyra e Kryeministrit njoftoi nëpërmjet një komunikate se Kurti është shprehur pro një dialogu parimor, ndërsa u fol edhe për situatën politike në rajon.

“Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, thuhet në njoftim.

Takim me liderët e institucioneve kosovare do të zhvillojnë edhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të zyrës së OSBE-së në Kosovë.

Para vizitave në Kosovë, ambasadorët rikthesuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne do të ritheksojmë rëndësinë e vazhdimit të përparimit konkret në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i mbështetur nga të pesë vendet tona, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe do të diskutojmë se si OSBE-ja mund të mbështesë më së miri zhvillimin demokratik të Kosovës në të gjitha dimensionet e OSBE-së dhe fushat prioritare dhe reformat e sundimit të ligjit”.

Ambasadorët do të vizitojnë edhe Serbinë.