Haliti për Asociacionin: Është çështje e kryer – Kurtit i ka mbetur ose ta zbatojë, ose të lë pushtetin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e kryer dhe se kryeministrit Albin Kurti i ka mbetur ose ta zbatojë, ose ta lë pushtetin. 

Haliti një ditë pas takimit të Kurtit me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak tha se Kurti nuk mund t’i vendosë kushte BE-së.

“Kurti nuk e ka tagrin për t’i vendos kushte BE-së, por BE po i qet kushte Kurtit që ta zbatoj marrëveshjen. Nuk mundet Kurti me vendos kushte. Shumicën e pikave që i ka qit Kurti, marrëveshjet janë të bëra dhe janë të zgjidhshme”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Sipas tij, Kurti kur ka ardhur në qeveri nuk i ka parashikuar vështirësitë me të cilat është duke u përballur.

“Për mu, Kurti i ka dy çështje: ai së pari nuk e ka parashiku që është aq e vështirë para se ta marr pushtetin për tu përball me çështjet që është duke u përballur, ndërsa tash po përpiqet që mos të sulmohet nga opozita dhe nga partia e vet se po pranon diçka që dikur ka qenë kundër”.

“Mendoj që Kurti nuk ka nevojë të arrij ndonjë marrëveshje, por duhet të nënshkruaj atë që është arrit. Me e rreh askush nuk e rreh, por deklarativisht edhe BE dhe ShBA përmes emisarëve të vet, janë deklaruar që të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen”, tha ai.

Por siç theksoi Haliti, “nëse qeveria nuk është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje këtu ekziston problemi se si do i bëhet “halli”.

‘Në qoftë se qeveria nuk është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje, problemi është se si do t’i bëhet halli. Ai po u përball në lidhje me këtë çështje me BE dhe ShBA-në, ai se di se ku do të përfundoj. Po besoj, në qoftë se ai don me qenë pjesë e zgjidhjeve ballkanike dhe të Kosovës duhet ta nënshkruaj, e nëse ai është i gatshëm që ta lë pushtetin dhe të mos e nënshkruaj prapë është problem i tij”, tha Haliti për Telegrafin.

Për deputetin nga radhët e partisë në opozitë marrëveshja për Asociacionin është çështje e kryer që në vitin 2013.

“Marrëveshja për këtë çështje për mu ka qenë e kryer. Marrëveshja është arritur në Bruksel në vitin 2013. Dhe është nënshkruar nga autoritetet e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë”.

Haliti tha se çështja e Asociacionit është shndërruar në një debat, pasi siç potencoi ai nuk është vetëm kjo marrëveshje për tu diskutuar, por ka edhe të tjera.

“Janë nënshkruar edhe marrëveshje të tjera, të cilat nuk janë zbatuar as nga Serbia, por as nga Kosova përjashtuar disa siç është ajo me çështjen e policisë, gjyqësorin që janë në veri. Por kjo është shndërruar në debat, thu që është në pyetje marrëveshja për Asociacionin. Janë disa marrëveshje që duhet të zbatohen. Plani franko-gjerman i BE-së mendoj që do duhej të ishte i pranueshëm për të dyja palët, për të filluar negociatat e mëtutjeshme për shtensionimin e situatës në mes të Serbisë dhe Kosovës.

E kuptoj që politikisht Albini ka qenë kundër kësaj marrëveshje, por tani është kryeministër i Kosovës, e duke qenë që nuk është shef i opozitës, duhet të jetë i përgjegjshëm sa i përket edhe kërkesave që i ka BE-ja dhe ShBA-ja, që këto marrëveshje të zbatohen dhe të vazhdojmë me stabilizimin politik dhe me njohjen, përfshi dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, çështje për të cilat ata që i dëgjojnë debatet në Serbi janë shumë kundër kësaj marrëveshje, ose këtyre marrëveshjeve, pra nuk janë vetëm në Kosovë këto kundërshti.

Por, në këto situata, marrëveshjet bëhen duke i bërë lëshime njëri tjetrit për çështje të caktuara”, tha ndër të tjera, deputeti i PDK-së, Xhaliti Haliti.

Ndryshe, pas takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Kurti në një postim në Twitter ka bërë të ditur se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani e të cilat do t’i adresojë në Bruksel.

Gjithashtu ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për pranimin në parim Planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. /Telegrafi/