Kurti: Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka hapur mbledhjen e sotme të Qeverisë duke folur për dy lajmet e mira që Kosova i mori ditët e fundit.

Kurti foli për liberalizimin e vizave dhe hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

“Këtë javë çdo qytetar i Republikës është ndjerë më europian dhe më afër Europës”, tha Kurti.

Ai tha se procesi i liberalizimit të vizave u zhbllokua vitin e kaluar me shumë punë dhe angazhim.

“Me shumë punë dhe angazhim, vitin e kaluar arritëm që ta zhbllokojmë këtë proces. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se Kosova do t’i përmbush të gjitha kriteret që nevojiten për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kosova e mori pranimin për aplikim me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Në këtë arritje të madhe kanë ndikuar edhe tri vlerat fondamentale të KiE-së që i kemi përmbushur. E konfirmojmë se jemi në rrugën e duhur se Kosova i përket unionit të Evropës”, ka thënë Kurti.