Kurti: Reforma e inspektimeve ka sjellë progres, synohen më shumë transparencë dhe luftë kundër korrupsionit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se reforma e sistemit të inspektimeve ka shënuar përparim gjatë vitit 2025, teksa u prezantua Raporti i Përgjithshëm mbi Inspektimet.

Kurti deklaroi se Ligji për Inspektimet, i miratuar gjatë mandatit të kaluar, synon modernizimin e inspektorateve, rritjen e efikasitetit dhe mbrojtjen e interesit publik, përfshirë shëndetin, sigurinë dhe mjedisin.

Sipas tij, sistemi i ri parashikon inspektime të bazuara në nivelin e rrezikut, masa më të ashpra ndaj shkelësve të përsëritur dhe një qasje më bashkëpunuese ndaj bizneseve që respektojnë ligjin. Ai tha se publikimi i listave të kontrollit, inspektimet e përbashkëta dhe digjitalizimi do të ulin barrën administrative për sektorin privat.

Kurti njoftoi gjithashtu se do të zbatohet sistemi elektronik “e-Inspektimi” dhe do të nisë programi i trajnimit dhe certifikimit të inspektorëve.

Ai theksoi se inspektimet duhet të garantojnë zbatimin e barabartë të ligjit dhe nuk duhet të përdoren si mjet presioni apo favorizimi, duke shtuar se transparenca dhe digjitalizimi janë kyçe për të kufizuar korrupsionin dhe abuzimet.