Kurti takon Hamzën pas dënimit në Hagë, diskutojnë hapat për apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti dhe Hamza e kanë vlerësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të rëndë, ndërsa kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen për korrigjimin e tij në shkallën e apelit.

Në takim, ata kanë shkëmbyer mendime dhe përshtypje lidhur me zhvillimet pas vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kurti dhe Hamza janë zotuar gjithashtu për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet me interes publik, shtetëror dhe kombëtar.

Në njoftim, Kurti ka theksuar se rezistenca e popullit shqiptar dhe lufta çlirimtare ishin, sipas tij, të domosdoshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit”, thuhet në deklaratë.

Kurti ka përmendur gjithashtu represionin, shkeljen e të drejtave të njeriut, spastrimin etnik dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.