Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare dy-ditore në Austri, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe do të marrë pjesë në aktivitete me fokus ekonomik.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë qëndrimit në Vjenë, Kurti do të pritet në takim nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker. Takimi pritet të fokusohet në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, bashkëpunimin ekonomik, si dhe zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë.
Në kuadër të vizitës, kryeministri në detyrë do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum), një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në rajon, ku mblidhen liderë politikë, përfaqësues të institucioneve dhe biznesit nga vende të ndryshme.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum konsiderohet një mundësi për promovimin e potencialit ekonomik të vendit, forcimin e bashkëpunimit me investitorët e huaj dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike me partnerët evropianë.
Austria vazhdon të mbetet një nga shtetet mbështetëse të Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe në zhvillimin ekonomik, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vlerësohen tradicionalisht si shumë të mira.