MINTI gjobit KEDS me 35 mijë euro pas verifikimit të njehsorëve elektrikë

Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës janë konstatuar një sërë parregullsish në njehsorët elektrikë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa.

Sipas komunikatës, Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë ka testuar gjithsej 16 njehsorë elektrikë, ku në 6 raste është konstatuar se njehsorët kishin afat të skaduar të verifikimit.

Po ashtu, në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë, ndërsa në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik. Tre njehsorë të tjerë vazhdojnë të jenë në procedurë të verifikimit laboratorik.

Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS në vlerë prej 35 mijë eurosh, raporton Gazeta Stop.

MINTI dhe AMK kanë bërë të ditur se procesi i verifikimit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të funksionimit të rregullt të njehsorëve elektrikë.

Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi për parregullsi në njehsorët elektrikë të vazhdojnë t’i paraqesin ankesat përmes platformës Viber dhe adresës zyrtare elektronike.