Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetarit të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, përmes së cilës ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në letrën e nënshkruar nga Limaj thuhet se ky bashkëpunim vjen “në frymën e përgjegjësisë politike dhe shtetërore”, si dhe si përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve dhe mbështetësve për bashkimin e potencialit politik të dy subjekteve.
“NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në letër, raporton Gazeta Stop.
Limaj thekson se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë bashkëpunimi ndërmjet strukturave që, sipas tij, ndajnë ideale dhe vizion të përbashkët për Kosovën.
Në dokument po ashtu thuhet se angazhimi i Nismës nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se koordinimi i potencialit opozitar është në interes të qytetarëve dhe vendit.
Në fund të letrës, Nisma shpreh gatishmërinë për të dhënë kontribut të plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të këtij procesi të përbashkët.
