Murati: Rritet shtesa e përvojës së punës, nga 0.25% në 0.50%

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se përveç pagës së 13-të, të punësuarit në sektorin publik kanë marrë edhe pagat e rregullta me rritje për shkak të shtesës së përvojës së punës.

“Përveç pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti, dje pagat e rregullta janë ekzekutuar edhe me shtesën e rritur të përvojës së punës”, ka deklaruar Murati.

Ai ka bërë të ditur se kjo shtesë është dyfishuar për vitet e para të përvojës.

“Shtesa është rritur nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të përvojës, gjë që nënkupton rritje efektive të pagës për të gjithë të punësuarit”, ka theksuar ai.

Sipas ministrit, kjo rritje është reflektuar edhe për muajt paraprakë.

“Vlen të theksohet që shtesa e rritur e përvojës së punës është paguar edhe për dy muajt e shkuar, janar dhe shkurt”, ka shtuar Murati.

Ai ka folur edhe për rastet e grave në pushim të lehonisë që mund të mos kenë përfituar pagën e 13-të.

“Rastet e grave në pushim të lehonisë që mund të mos jenë procesuar dje për pagën e 13-të, të punësuarat duhet t’u drejtohen menaxhmentit në institucionin ku punojnë”, ka thënë ai.

Në fund, Murati ka sqaruar se përgjegjësia për listat e pagave u takon institucioneve përkatëse.

“Listat e pagave përgatiten nga secili institucion përkatës, dhe ato janë përgjegjës për lëshimet eventuale, të cilat mund të korrigjohen në muajin vijues”, ka përfunduar ai.