Opozita në Shqipëri në “tollovi” me Gardën jashtë dhe brenda Parlamentit, çfarë ndodhi në seancë?

Më shumë se 20 minuta iu deshën deputetëve të papërjashtuar të opozitës që t’i bindnin komandantët e Gardës në Kuvend e Shqipërisë të hapnin derën e godinës për t’u futur në seancë plenare.

Deputetët e Rithemelimit dhe mbështetësit e kreut të grupit Gazment Bardhi kërkuan të futen në seancë, pavarësisht se 19 prej tyre ishin të përjashtuar në seancën e sotme.

Në pamundësi për të kontrolluar se cilët ishin të përjashtuar e cilët jo, efektivët e Gardës i bllokuan të gjithë deputetët e opozitës duke mos i lejuar të futen në Kuvend.

Ndërkohë që pak metra më tutje kishte nisur protesta e paralajmëruar e opozitës, deputetët që nuk kishin masë disiplinore arritën të futen në sallë, duke shkuar menjëherë drejt tryezës ku qëndruan kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ministrat e kabinetit të tij.

Efektivët e Gardës bënë sërish një gardh përpara ministrave duke penguar Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Asllan Dogjanin që t’i afroheshin Ramës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e nisi seancën pak minuta përpara se të futeshin brenda deputetët e opozitës, duke i dhënë mundësi Petro Koçit dhe Etjen Xhafajt të mbanin fjalimet e tyre, pas disa seancash kur nuk kishte asnjë fjalim në Kuvend.

Me futjen e deputetëve të opozitës në sallë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti deri në përfundim të fjalës së deputetit Xhafaj për të njoftuar përfundimin e seancës duke akuzuar opozitën se nuk po mendon për hallet e qytetarëve. /tch/