Osmani: Këtë vit do të ketë ndërmjetësues të ri në dialog

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pritet të ketë edhe ndërmjetësues të ri për dialogun Kosovë – Serbi.

E para e shtetit tha se këtë informacion ia ka dhënë vetë emisari Lajçak, i cili mandatin e ka deri në gusht.

“Në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisioner të ri, zyrtarë të ri që do ta marrin përsipër procesin e dialogut, sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga vet Lajçak, i cili e ka mandatin deri në gusht në mos gabohem”, ka thënë Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Osmani gjatë ditës ka deklaruar se çështja e dinarit duhet të zgjidhet në Kosovë dhe nuk duhej të ishte bërë fare çështje.

“Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët”, tha Osmani për media.