Osmani: Mbajtja e zgjedhjeve s’ka të bëjë me referendum

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës, derisa ka theksuar se kjo nuk ka të bëjë me referendum. Ajo ka thënë se iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj. Derisa ka theksuar se Kosova ka vullnet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të parandalojnë ndërhyrjet e Serbisë në këtë proces.

Osmani ka deklaruar se Serbia duhet ta dëshmojë që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës.

“Vullneti nga ana jonë për organizimin e zgjedhjeve të reja ekziston, tani duhet edhe serbët në këto komuna të tregojnë vullnetin për pjesëmarrje në zgjedhje dhe mbi të gjitha Serbia duhet ta dëshmojë, gjë që nuk e ka dëshmuar akoma që nuk do të ndërhyjë ilegalisht, siç ka bërë në të kaluarën, në zgjedhje që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës. Dhe i bëjmë natyrisht thirrje partnerëve tanë ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë çmos që të parandalojnë ndërhyrje të tilla të paligjshme që shpesh herë kanë përfunduar me dhunë e frikësim ndaj qytetarëve serb në veri, që të mos i lejojnë ato që të bëhen nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Osmani gjatë një konference të mbajtur në Komunën e Istogut, e të transmetuar në faqen zyrtare të Presidencës në Facebook.

Osmani ka ritheksuar se ekzistojnë dy mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, njëra nëse kryetarët japin dorëheqje dhe tjetra nëse qytetarët në këto komuna kërkojnë largimin e kryetarëve përmes peticionit.

“Po krijohet një lloj paqartësie dhe një lloj hutie, nuk e di a është e qëllimshme apo jo dhe kjo çështje po lidhet me referendumin, kjo nuk ka fare të bëjë me referendum, është një kategori komplet tjetër ligjore, iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave, jo vetëm këtyre katër komuna, të drejtën që nëpërmjet peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune nëpërmjet votës. Nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se çështjet teknike procedurale të afateve duhet të determinohen përmes udhëzimeve administrative apo rregulloreve të KQZ-së.

“Krejt çka duhet është që çështjet teknike procedurale të afateve të determinohen nëpërmjet qoftë udhëzimeve administrative, qoftë rregulloreve të KQZ-së, tashmë ekziston një grup punues ku edhe kabineti im është prezent dhe të jap kontributin e vet. Unë u bëj thirrje anëtarëve të këtij grupi punues që urgjentisht ta përfundojnë punën. Sapo të krijohet baza ligjore atëherë qytetarët e këtyre komunave kanë të drejtë të dorëzojnë poziciononin”, ka shtuar Osmani.

Javë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.