Osmani në Turqi: Zgjodhëm paqen e diplomacinë edhe në luftë, Rambujeja s’pati shumëçka, por iu hapi rrugë aleancave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në Forumin Diplomatik të Antalias në Turqi. Ajo ka thënë se është rritur bashkë me Kosovën si shtet dhe që nga përvoja e Kosovës dhe përvoja personale mund të mësohet se sa e vështirë është që të zgjedhësh paqen dhe diplomacinë në luftë.

Osmani ka rikujtuar faktin që pavarësisht faktit që Kosova ishte viktimë e luftës dhe gjenocidit, kishte zgjedhur Marrëveshjen e Rambujesë, edhe pse në të s’ishte pjesa më e madhe e asaj që ishte kërkuar, megjithatë thotë se ajo ishte një marrëveshje e paqes, sepse hapte rrugën për aleanca.

Osmani ka thënë se në kohë trazirash dhe tensionesh, është shumë e rëndësishme ta dish se kush të qëndron prapa, duke theksuar se fuqia e Kosovës lidhur me atë se kënd e ka afër si shtet dhe kush janë miqtë që i qëndrojnë afër.

“Duke qenë se vij nga Kosova, kam shumë për të thënë. Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit, krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, qindra-mijëra gra të përdhunuara, e shumë plagë të hapura. Përkundër gjithë kësaj dhimbjeje, ne kemi zgjedhur dialogun si mënyra e vetme përpara, kemi zgjedhur zgjidhje paqësore.

“Unë jam rritur bashkë me Kosovën si shtet. Nga përvoja ime, mund të mësojmë se sa e vështirë është të zgjedhësh paqen e diplomacinë në kohë lufte.

P.sh në vitet e 90-takur ishim viktima të gjenocidit, populli zgjodhi marrëveshjen e Rambujesë, edhe pse një pjesë e madhe e saj nuk ishte ajo që kishim kërkuar, por ishte e vetmja marrëveshje paqësore që do të ndalte luftën dhe u desh ti themi po, sepse hapte rrugën për aleanca.

Në kohë trazirash, në kohë tensionesh, është shumë e rëndësishme ta dish se kush qëndron rreth teje. Fuqia jonë në ditë të mira e të këqija, është fuqia e partneriteteve tona, nëse kemi miq afër, e njerëz që na ndihmojnë, dhe që qëndrojnë pranë teje për të të shpëtuar jetën, ky është çelësi”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se në diplomaci edhe fitoret e vogla janë fitore dhe ka potencuar se s’mund të arrish çdo gjë menjëherë.

Tutje Osmani ka përmendur hapat e vegjël që ndonjëherë kë bërë Kosova, megjithatë thotë se vendi ka ecur përpara. Ajo ka përmendur sakrificën e popullit të Kosovës, luftën çlirimtare përmes të cilës thotë se është arritur edhe pavarësia dhe njohja nga e gjithë bota.

“Për dekada me radhë kemi punuar për t’i krijuar këto aleanca. Dhe vendet si SHBA, si Turqia, BE e shtetet e tjera na janë gjendur kur kemi pasur nevojë më së shumti.

Në diplomaci edhe fitoret e vogla janë fitore. Nuk do të arrini çdo gjë që ju duhet menjëherë. Kemi arritur me hapa përpara, ndonjëherë me hapa të vegjël, që shumë njerëz nuk ishin shumë të gëzuar me ta, por që kemi ecur tutje, kemi arritur të sigurojmë lirinë tonë të shumë pritur me sakrificën e populli tonë dhe me luftën tonë çlirimtare, kemi arritur edhe pavarësinë por edhe njohjet nga e gjitha bota”, ka thënë Osmani në Forumin Diplomatik të Antalias.

Në fund, Osmani ka folur për përkrahjen ndërkombëtare, duke thënë se në rastin e Kosovës është ndryshe. Ajo ka përmendur përkushtimin e madh ndërkombëtar, në fillim duke administruar me vendin e më pas edhe në ndihmesën në shtet ndërtim.

Ajo ka thënë se tashmë Kosova ka hyr në fazën e tretë të forcimit të demokracisë. Osmani ka thënë se Kosova është shembulli më i ndritshëm i demokracisë sepse miqtë asnjëherë s’janë larguar.

“Pika e tretë, që mbështetja nuk është një gjë që të jepet një herë. Shohim shumë konflikte ku bashkësia ndërkombëtare ndërhyn një herë dhe tërhiqet. Në Kosovë ka qenë ndryshe. Kam parë që në Kosovë që nga fitimi i lirisë, kemi pasur misionin më të madh të OKB-së në Kosovë që ka administruar vendin gati një dekadë dhe më pas na ka ndihmuar në ndërtimin e shtetit që është ndryshe nga ndërtimi i paqes. Që kompetencat të barten nga OKB tek shteti i Kosovës, pas pavarësisë.

Tashmë po hyjmë në fazën e tretë që mund ta quajmë ndërtimi i demokracisë. Kosova është shembulli më i ndritshëm i demokracisë në rajon. Sepse miqtë tanë asnjëherë s’na janë larguar. Ne gëzojmë përkrahjen e miqve ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.