Paralajmërohen trazira nëse Ligji i Pagve s’u përshtatet punonjësve shëndetësorë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që ta publikojë sa më shpejt draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit, me qëllim të shmangies së keqkuptimeve për këtë proces.

FSSHK-ja po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit të këtij ligji, derisa ka paralajmëruar se nëse koeficienti shkon në dëm të punëtorëve shëndetësor, trazirat sociale janë të pashmangshme.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i bën apel Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më parë të publikojë draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit me qëllim të shmangies së keqkuptimeve të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces. FSSHK i siguron të gjithë punëtorët shëndetësor se në asnjë moment nuk do të pranojnë asnjë draft e asnjë koeficient që mund të shkojë në dëm të punëtorëve shëndetësorë. Në fund thirrje publike Qeverisë së Republikës së Kosovës, Është momenti i fundit që të reflektoni në mënyrë të sinqertë dhe transparente, përndryshe, trazirat sociale janë të pashmangshme”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.