Për deklarimet se mund të bjerë Qeveria, deputetja Statovci: Koalicioni është stabil

Deputetja e Vetëvendosjes nga Lista Guxo, Jeta Statovci, thotë se koalicioni qeverisës në mes të Guxo dhe Vetëvendosjes është stabil, ndonëse në grupin e tyre parlamentar ka diversitet në mendime.

Statovci ka thënë se ka diversitet në mendime pas qëndrimit kundër të deputetit Fatmir Humolli, për rastin e mospërfshirjes të veteranëve të luftës në projektligjin për Pagën Minimale.

“Për deputetin është çështje sensitive, por dje e patëm prezent. Secili nga ne kemi mendime por gjejmë konsensus dhe e tejkalojmë vetveten… Si grup parlamentar jemi divers. Koalicioni është stabil. Është koalicion i madh dhe stabil”, tha ajo për Klan Kosova.

“Kemi kryer disa punë që janë sensitive e të cilat nuk janë trajtuar për vite me radhë. Ato tani po jetësohen”, tha Statovci.

Sa i përket stabilitetit të koalicionit qeverisës, ajo është përgjigjur pas deklaratave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se bashkëpunimi Guxo-LVV nuk do të shkojë deri në fund të mandatit.