Përplasje me opozitën, Kurti: Pajtohem për seancë të mbyllur kur kemi deputetë që flasin pa lidhje

Po vazhdon debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me situatën në veri, derisa pati sërish një përplasje mes kryeministrit Albin Kurti me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se fatkeqësisht sot sovraniteti është i shtrirë në mënyrë të brishtë.

“Fatkeqësisht sot kemi një vend që e kemi të shtrirë sovranitetin në mënyrë të brishtë… A e dini sa policë kemi? Kemi policë fatkeqësisht sa mos me arrit as me i mbrojt as objektet e stacioneve policore”, tha Tahiri.

Për çështjen e dialogut dhe situatës në veri ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili i reagoi kryeministrit lidhur me ndërtimin e rrugëve neveri.

“S’ka dialog, drejt e në dialog… ku po e çoni Kosovën, cila është strategjia juaj, kjo na intereson neve…? S’po na intereson bash hiq, a janë shtruar nja 3, 4 kilometra rrugë. Ministri i Infrastrukturës merret me këtë punë”, u shpreh Gashi.

E, pas këtyre kritikave ka reaguar kryeministri Kurti, raporton Telegrafi.

Ai tha se duan marrëveshje finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohje në qendër.

“Është e vërtetë që kemi kundërshtuar dikur dialogun, sepse ka qenë jo parimor dhe asimetrik.  Nëse kemi ndryshuar qëndrim si LVV, atëherë kjo përfundimisht ka ndodhur më 10 shtator 2014 në marrëveshjen e VLAN-it. Aty themi për herë të parë si LVV, ne jemi për dialogu parimor. Aty thuhet se LVV do ta udhëheq dialogun… Shikoni arkivat e LDK-së dhe e gjeni…” tha ai.

“E kam vështirë të diskutoj me dikë për strategji e platforma, me dikë që thotë se nuk i interesojnë rrugët që shtrohen në veri.  Në anën tjetër nuk më interesojnë rrugët që shtrohen në veri, por kallxoma strategjinë”.

“Çka tha edhe deputetit tjetër i PDK-së Tahiri, ‘kemi policë sa nuk mund të mbrojnë ndërtesat atje’. Kjo është sikur me i bë thirrje Serbisë… Prandaj pajtohem  me deputetin Hoxhaj, i cili tha se nevojitet seancë e mbyllur kur ke deputetë që flasin kaq pa lidhje…”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/