Pesë frutat më të mira për shëndetin e zemrës

Një studim i ri sugjeron se për shëndetin e zemrës nuk mjafton vetëm të hash pesë porcione me pemë e perime në ditë, por rëndësi ka cilat prej tyre zgjedh, ka shkruar BBC.

Sipas studiuesve, shumë njerëz nuk marrin mjaftueshëm flavonile, përbërës natyralë me veti antioksiduese që lidhen me qarkullimin e gjakut, elasticitetin e enëve të gjakut dhe uljen e inflamacionit.

Pesë ushqimet kryesore që studimi rekomandon për zemrën janë:

Boronicat, që janë burim i mirë flavanolesh dhe antioksidantësh.

Kumbullat, që sipas studimit, kanë përmbajtje shumë të lartë flavanolesh.

Manaferrat, që ndihmojnë në rritjen e marrjes së flavanoleve.

Bishtajat e gjera, janë burim bimor i pasur me këta përbërës.

Qershitë, përmbajnë flavanole dhe antioksidantë të tjerë të dobishëm.

Pija që studiuesit e veçuan është çaji i gjelbër.

Një filxhan çaj i gjelbër (rreth 250 ml) mund të ofrojë rreth 200 mg flavanole, sipas analizave të studimit.

Sa flavanole përmbajnë disa ushqime?

UshqimiFlavanole (afërsisht)
Kumbulla (500 g)450 mg
Boronica e kuqe (250 g)                         300 mg
Manaferrat (200 g)250 mg
Çaj i gjelbër (250 ml)200 mg
Bishtajat të gjera (80 g)140 mg
Qershitë (400 g)130 mg
Molla me lëvore (mesatare)110 mg
Dredhëzat (200 g) 90 mg
Boronica (150 g)  80 mg
Fasulet (2 lugë gjelle)  70 mg

Studiuesit kanë analizuar rreth 30,000 persona në SHBA dhe Britani dhe gjetën se edhe disa njerëz që hanin rregullisht pesë porcione fruta e perime në ditë, nuk merrnin mjaftueshëm flavanole.

“Shumica e njerëzve mendojnë se ngrënia e shumë frutave dhe perimeve mjafton, por ky studim tregon se zgjedhjet specifike kanë rëndësi shumë më të madhe sesa sasia totale”, ka thënë drejtuesi i studimit, doktori Javier Ottaviani.

Ekspertët e zemrës dhe të ushqyerjes janë më të kujdesshëm.

Sipas tyre, ani pse flavanolet mund të kenë efekte pozitive në presionin e gjakut dhe enët e gjakut, ende nuk ka prova të forta që rritja e sasisë së tyre në dietë ul drejtpërdrejt rrezikun e infarktit apo sulmet në tru.

Gjithashtu, sasia e flavanoleve ndryshon shumë nga një produkt te tjetri, në varësi të mënyrës së kultivimit, pjekurisë, ruajtjes dhe përpunimit të ushqimit.

Fondacioni Britanik i Zemrës dhe Fondacioni Britanik i Ushqyerjes kanë deklaruar se këshilla më e sigurt mbetet një dietë të balancuar me shumë lloje të ndryshme frutash dhe perimesh.