Qeveria e Kosovës: Në aksidentin në Serbi janë lënduar 9 udhëtarë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) është aksidentuar sonte rreth orës 22:00 në Kupc të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Qeveria në njoftim bënë të ditur se janë 9 udhëtarë që kanë pësuar lëndime, por që janë jashtë rrezikut për jetë.

“Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz. Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej në njoftim, thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident.