Rritjes së koeficientit në sektorin publik do t’ia ‘shohin hairin’ politikanët- ja sa do t’i rritet paga presidentes e kryeministrit?

Në mbledhjen e Qeverisë së të martës u aprovua buxheti për vitin 2024. Në kuadër të kësaj mbledhje, u njoftua edhe për rritje të koeficientit të pages në sektorin publik nga viti i ardhshëm. Nga një përllogaritje që ka bërë Insajderi, del se kësaj rritje ia ‘shohin hairin’ vetëm politikanët. Rritjen më të madhe në page do ta ketë presidentja, përkrah kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, ministrave dhe deputetëve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se ashtu siç është premtuar nga Qeveria Kurti, koeficienti i pagave në sektorin publik do të rritet nga 105 sa ka qenë këtë vit në 110, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas tij, me këtë do të rritet edhe paga mesatare në sektorin publik.

“…Pra, ky projekt buxhet parasheh që buxheti për vitin 2024 do të jetë në shifrën 3 miliard e 314 milion euro. Dhe siç e theksoi edhe kryeministrit gjatë fjalimin parashihet që kategoria paga dhe shtesa të ketë rritje të koeficientit ashtu siç kemi premtuar në fillim të këtij viti koeficienti i pagave nga 105 euro bëhet në 110 kjo nënkupton që paga mesatare në seron publik të jetë rreth 780 euro bruto apo të ketë rritje të theksuar krahasuar me vitet paraprake”, deklaroi Murati.

Por, kush përfiton më së shumti me rritjen e koeficientit të pagës?

Me koeficientin aktual, presidentja paguhet në muaj nga buxheti i Kosovës 1890 euro. Ndërkaq, me koeficientin e ri 1980 euro. Pra, paga e së pares së vendit pëson rritje prej 90 eurove.

Po ashtu, kryeministri dhe kryekuvendari paguhen 1785 euro. Nga viti i ardhshëm, shefi i Qeverisë dhe Kuvendit pritet t’i marrin nga 1870 euro në muaj. Pra, që të dyve iu rritet paga nga 85 euro.

Ministrat dhe deputetët kanë koeficientin e njëjtë të pagës, 16.4. Me koeficientin aktual, ata paguhen 1722 euro. Ndërkaq, me atë prej 110 eurosh, ata pritet të paguhen 1804 euro. Pra, edhe ministrat edhe deputetët do të “gëzohen” me një rritje prej 82 eurosh.

Zëvendësministrat për punën që bëjnë aktualisht paguhen 1554 euro. Me rritjen e koeficientit nga viti i ardhshëm, ata pritet t’i marrin 1628 euro. Gjegjësisht, zëvendësministrat më 2024-ën do t’i marrin 74 euro më shumë në muaj.

Zëvendësministrat për punën që bëjnë aktualisht paguhen 1554 euro. Me rritjen e koeficientit nga viti i ardhshëm, ata pritet t’i marrin 1628 euro. Gjegjësisht, zëvendësministrat më 2024-ën do t’i marrin 74 euro më shumë në muaj.

Ambasadorët aktualisht e kanë pagën 1344 euro. Me koeficientin e ri, ata do t’i marrin 1408 euro. Rrjedhimisht, 64 euro më shumë nga viti i ardhshëm.

Sa shohin ‘hair’ nga rritja e koeficientit të pagës kategoritë e pakënaqura të sekorit publik?

Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në fund të këtij viti, e ka pagën 588 euro. Nga viti i ardhshëm, ai pritet të paguhet 616 euro në muaj. Pra, 28 euro më shumë.

Paga e policit me koeficientin prej 105 eurosh është 525 euro. Me rritjen e shumës prej 110 eurosh në koeficient, zyrtarit policer pritet t’i bëhet paga 550 euro në muaj. Pra, 25 euro më shumë. Njësoj pritet të ndodhë edhe me zjarrfikësit.

Për infermierët e shërbimit primar shëndetësor, paga pritet të ngritet nga 567 në 594 euro, pra rritje për 27 euro më shumë. Për ata të shërbimit sekondar shëndetësor, nga 577 në 605 euro – 28 euro më shumë. Ndërkaq, për infermierët e shërbimit terciar shëndetësor nga 588 euro në  616 euro, gjegjësisht 28 euro më shumë.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme të lartë do të kenë një ngritje prej 29 eurosh. Pra, nga609 në 638 euro. Mësimdhënësve të shkollave fillore do t’u rritet paga për 28 euro më shumë – nga 588 në 616 euro.

Ndërkaq, “lëmoshës” për kadetët e policisë, ushtrisë, doganës dhe të shërbimit korrektues pritet t’i shtohen edhe 10 euro. Ata sivjet marrin 210 euro në muaj, ndërkaq nga viti tjetër 220 euro.

Sipas kësaj përllogaritje, rritjen më të madhe në pagë do ta përjetojë presidentja e vendit, ndërkaq atë më të ulëtën kadetët nëpër institucionet shtetërore.