Specialja merr vendim për komunikimet dhe vizitat e Thaçit, Veselit dhe Selimit

Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka marrë një vendim lidhur me komunikimet dhe vizitat e të paraburgosurve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se më 1 dhjetor është lëshuar vendimi lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për ndryshimin e kushteve të paraburgimit të tre të paraburgosurve, ku është konstatuar se kushtet aktuale të paraburgimit janë të pamjaftueshme për të zvogëluar rrezikun që ata të mund të ndërhyjnë në procedurë apo të paraqesin rrezik për sigurinë e dëshmitarëve.

“Paneli konstaton se duhet të vendoset një sistem që fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e individëve që mund të paraqesin kërcënim për integritetin e procedurës apo që përfshihen në sjellje të papajtueshme me rregulloren. I akuzuari nuk duhet të takohet me më shumë se një vizitor në çdo kohë (me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht. Të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe nuk lejohet komunikimi i fshehtë përmes pëshpëritjes apo përdorimi i ndonjë gjuhe të koduar”, thuhet në disa nga pikat e vendosura në vendimin e gjykatës.

Ky vendim thuhet se e zëvendëson vendimin e përkohshëm të Trupit Gjykues të datës 17 nëntor.