Stoltenberg u bën thirrje Kosovës e Serbisë: Përmbajuni zotimeve tuaja

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve.

Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”.

Duke folur për gjendjen në veri, ka potencuar se KFOR-i po vazhdon monitorimin.

“Stabiliteti rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese. Në përputhje me zotimet e Prishtinës të vitit 2013, çdo zbarkim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it. Presim konsultimet me kohë në çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’u përmbahen zotimeve të tyre.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”.