Shefi i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij për opozitën dhe procesin e diskutimeve për zgjedhjen e Presidentit.
Tahiri ka theksuar se PDK-ja nuk ka refuzuar asnjë takim, duke kundërshtuar akuzat e Kurtit. Sipas tij, është pikërisht kryeministri ai që nuk ka treguar gatishmëri për ta konkretizuar iniciativën e tij përmes një ftese zyrtare.
“Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34-ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit, duke përmendur mesazhe joformale, të cilat sipas tij nuk janë serioze për procese të tilla politike.
“Më pas kemi parë mesazhe në WhatsApp me kërkesa për pazare, të cilat, thënë butësisht, ishin edhe qesharake. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar”, u shpreh ai.
Tahiri ka bërë të ditur se kjo çështje tashmë konsiderohet e mbyllur për partinë e tij, pasi Këshilli Drejtues i PDK-së ka vendosur ta përfundojë kontributin në këtë proces.
Ai paralajmëroi se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, duke e konsideruar këtë si pasojë të, siç tha, mungesës së vullnetit politik nga ana e kryeministrit.
“Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij dhe dëshirës për kontroll absolut institucional”, ka theksuar Tahiri.
Në reagimin e tij, ai ka komentuar edhe deklaratat e Kurtit për ish-krerët e UÇK në Hagë, duke thënë se vetë Kurti kishte përdorur më parë thirrje publike ndaj tyre dhe, sipas tij, nuk ka treguar gatishmëri për t’i vizituar si kryeministër.