“The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

Një takim mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë mund të ndodhë të enjten në Granada të Spanjës.

Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar se ka përpjekje që të aranzhohet një takim mes Vjosa Osmanit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Osmani e Vuçiq do të marrin pjesë në samitin në Granada të 51 liderëve evropianë. Samiti do të mbahet të enjten.

“Burime thonë se ka përpjekje për të aranzhuar takim mes tyre përkundër armiqësisë politike mes dy vendeve”, ka shkruar “The Guardian”.

Osmani të martën në një intervistë për “CNN” ka thënë se Kosova është nën sulm. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u inkurajua të sulmonte shkaku i mungesës së drejtësisë në dialog.

“Ata duan të vazhdojnë planin e tyre të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë, t’i lejojnë Putinit të hapë fronte të reja kundër perëndimit në Ballkan Perëndimor. Ne jemi duke punuar me aleatët dhe partnerët dhe kjo nuk do të ndodhë”, tha Osmani.