U vetaksidentua, humb jetën 60 vjeçari nga Mitrovica

Një person i moshës 60 vjeç ka humbur jetën si pasojë e një vet-aksidenti që ka ndodhur sot në Mitrovicë.

Policia ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:35 në rrugën “Agim Ramadani-Katana”.

“Sot me datën 22 gusht 2023, rreth orës 08:35, në rrugën ,,Agim Ramadani-Katana” në Mitrovicë, është shkaktuar një aksident trafiku, ku një automjet me targa vendore, deri sa kishte qenë në lëvizje për shkaqe të panjohura kishte goditur dy vetura të cilat kishin qenë të parkuara në këtë rrugë”, thuhet në njoftim.

Policia shton se meqenëse drejtuesi i automjetit në lëvizje pëson lëndime trupore, me urgjencë dërgohet në emergjencën e spitalit Rajonal në Mitrovicë dhe si pasojë e  lëndimeve pas pak kohe drejtuesi i automjetit të aksidentuar, i moshës 60 vjeçar, ndërron jetë.

Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës  është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. /Telegrafi/