Varhelyi prezanton raportin për Shqipërinë: Progres i mirë me rezultate të dukshme

Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, prezantoi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian progres raportin për Shqipërinë.

Ai theksoi se Shqipëria “ka vijuar të bëjë një progres të mirë duke marrë rezultate të dukshme”, por shtoi se “përpjekje të tjera duhen në çështjet kyçe për zbatimin e ligjit”.

“Shqipëria është vendi i dytë me të cilin ne hapëm kuadrin negociues këtë vit. Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të mirë duke marrë rezultate të dukshme. Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut të cilët po vijojnë punën në mënyrë konstante janë shembull i progresit të mirë”, tha Varhelyi.

“Shqipëria ka treguar nivel të lartë përkushtimi për përforcimin e zbatimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përdori mandatin e saj në OKB për t’ju përgjigjur bashkë me aleatët agresionit rus në Ukrainë duke sjellë propozime”, shtoi ai.

“Përpjekje të tjera duhen në çështjet kyçe për zbatimin e ligjit duke përfshirë reformën në sistemin gjyqësor, lirinë e shprehjes, luftën kundër korrupsionit, të drejtës së pronës, çështjet e minoritetit dhe lirisë së medias”, tha Varhelyi.

Komisioneri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur 100 për qind linjën evropiane për pushtimin rus të Ukrainës.

Ai vuri në dukje të drejtën e pronës, lirinë e medias dhe shtetin e së drejtës, si çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë.

Sipas tij, angazhimi politik, konsensusi i të gjithë aktorëve politikë dhe një administratë e pavarur e profesionale janë të domosdoshme për të vijuar më tej rrugën evropiane të Shqipërisë.