Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmia e dëshmitarit të 44-të, të mërkurën, ka qenë në sesion privat, pavarësisht se një ditë më parë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kërkoi që dëshmia e tij të jetë në seancë publike, pasi që ky dëshmitar, sipas Emmerson, ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

Megjithatë, kërkesa e Emmerson nuk është aprovuar nga Trupi Gjykues i cili vendosi që dëshmia e dëshmitarit 44 të jetë në sesion privat. Ndryshe, shumica e seancave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, që nga fillimi e deri më tani janë zhvilluar në sesione private.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen katër seanca, raporton RTKlive.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Ndryshe, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.