Prodhimi vendor dhe mbështetja për fermerët ishin në fokus të Festivalit të Patates, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, ku mori pjesë edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.
Shahini, i cili është edhe qytetar i Vushtrrisë, tha se festivali është një mundësi për të promovuar punën e fermerëve dhe produktet vendore.
Ai falënderoi Komunën e Vushtrrisë, kryetarin Ferit Idrizi dhe Drejtorinë e Bujqësisë, të udhëhequr nga Besim Shyti, për organizimin e aktivitetit.
Gjatë fjalës së tij, Shahini kërkoi më shumë mbështetje për fermerët dhe prodhuesit vendorë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve për konkurrencë në treg.
“Kur qeveria qendrore apo lokale nuk mund ta mbështesë fermerin dhe prodhuesin vendor, së paku të mos e pengojë”, tha Shahini.
Ai e cilësoi Vushtrrinë si një prej qendrave të rëndësishme të prodhimit të patates në Kosovë dhe tha se konsumimi i produkteve vendore ndikon drejtpërdrejt në mbështetjen e fermerëve dhe ekonomisë së vendit.
Gjatë festivalit, Shahini u nderua me mirënjohje nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në cilësinë e qytetarit të kësaj komune dhe kryetarit të AKB-së.
Shahini tha se fermerët kanë nevojë për treg, përkrahje dhe kushte të barabarta për të konkurruar.
Në fund, ai përcolli mesazhin e AKB-së për konsumatorët: “Duke konsumuar prodhime vendore – mbështet ekonominë tonë.”
