Zgjerohet protesta, e gjithë Policia e Kosovës më 9 dhjetor ia “zënë” derën Qeverisë

Albin Kurti do të përballet sërisht me proestat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Por, kësaj here protesta do të jetë më e madhe, shkruan Demokracia.com.

Më datën 9 dhjetor, policët e Njësive Speciale, Hetimeve, Rendit Publik dhe Departamenteve të tjera të Policisë do të mblidhen përpara qeverisë për të protestuar.

Kësaj radhe, përveç Njësisë Speciale Intervenuese (ish-FIT) protestës do t’i bashkohen edhe njësi të tjera elitare/speciale të policisë së Kosovës. Protestës pritet t’i bashkohen edhe policët specialë që janë në veri të Mitrovicës.

Ata do të shfaqin pakënaqësitë në lidhje me shtesat dhe kategorizimin e rrezikshmërisë për policët e Kosovës.

“Protestë për të shprehur pakënaqësin në lidhje me shtesat dhe kategorizimin e rrezikshmërisë”, thuhet në formularin për lajmërimin e protestës

Protesta parashihet të nis në ora 12:00 dhe pritet të zgjasë deri në 12:30. Ajo është thirrur të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu”.

Kujtojmë që edhe javë më parë, policët elitarë të Njësive Speciale Intervenuese protestuan përpara qeverisë me kërkesën e njëjtë, por kërkesat e tyre nuk i morën parasysh.