Haziri: LDK-ja do marrëveshje gjithëpërfshirëse me VV-në, proceset e brendshme nuk do të ndikojnë në negociat

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se zhvillimet e brendshme në parti nuk do të ndikojnë në bisedimet e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për formimin e institucioneve të reja.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Haziri tha se procesi i brendshëm në LDK dhe negociatat eventuale me LVV-në janë dy procese të ndara, duke theksuar se partia do të kujdeset që dinamika e brendshme të mos reflektohet në procesin politik për krijimin e institucioneve.

Sipas tij, LDK-ja është e gatshme të shqyrtojë një marrëveshje, por ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përfshijë jo vetëm formimin e Qeverisë, por edhe zgjedhjen e presidentit të vendit dhe dakordimin për prioritetet kryesore shtetërore.

Haziri theksoi se aktualisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është adresa e vetme zyrtare për çdo komunikim ose negociatë me LVV-në, pavarësisht zhvillimeve të fundit brenda partisë për thirrjen e Kuvendit të LDK-së. Ai shtoi se situata mund të ndryshojë vetëm nëse Kuvendi i partisë mblidhet ose nëse ndodh një dorëheqje nga drejtimi i saj.

Ai bëri të ditur gjithashtu se deri më tani LDK-ja nuk ka pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga LVV-ja për bisedime, ndërsa çdo ofertë eventuale do të shqyrtohet nga organet e partisë dhe vendimmarrja do të merret në mënyrë institucionale.

Deklaratat e Hazirit vijnë në një kohë kur Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa bisedimet për krijimin e shumicës parlamentare mbeten të hapura.