Grupi Parlamentar i PDK-së dhe Aleancës, bashkë me asamblistë, drejtorë e aktivistë kanë vazhduar me aksionet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Fjolla Vukshinaj-Reçica, asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka shpjeguar se si moskonstituimi i Kuvendit, sipas saj, pritet t’i bllokojë komunat.
“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është vetëm një debat abstrakt politik, nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë, pas çdo ditë që Kuvendi mbahet i mbyllur, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt, dhe një nevojë që mbetet pa zë”, tha ajo.
Sipas saj, një Kuvend që nuk funksionon nuk mund t’i trajtojë si duhet nevojat e qytetarëve.
“Zotëri Kurti, zhbllokoje Kuvendin, riktheje funksionimin e institucioneve, ktheja qytetarëve zërin që iu takon, sepse Kosova nuk mund të mbahet në pritje, ndërsa qytetarët vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë faturat e kësaj bllokade, dhe fajtor për këtë është vetëm Albin Kurti”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, deputetja e betuar e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra bëri thirrje për rikthimin të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë.
“Ne sot po ia themi troç Albin Kurtit dy gjëra. E para, që ai dhe ministrat e tij që janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt, dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend dhe t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit”, u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti i betuar i Aleancës, Besnik Tahiri, përçoi një porosi te qytetarët.
“Porosia është shumë e thjeshtë, që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai, 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ia ka dhënë populli. Ai, një njeri i vetëm, nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur nga populli, të votuar nga sovrani, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim, me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet, dhe me kthy logjikën parti-shtet”, tha ai.