AKB në ILO: Kërkohet përfaqësim më i madh i Kosovës në dialogun ndërkombëtar të punës

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është pritur në selinë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë, ku ka diskutuar për pozitën e Kosovës në dialogun social dhe përfaqësimin e sektorit privat në mekanizmat ndërkombëtarë.

Shahini u takua me Mito Tsukamoto, drejtues i Employment in Investment (EMPINVEST) në Departamentin e Politikave të Punësimit në ILO.

Në takim u diskutua për zhvillimet në tregun e punës në Kosovë, forcimin e dialogut social, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen e sektorit privat në hartimin e politikave të punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Një nga çështjet kryesore ishte perspektiva e Kosovës dhe mundësitë për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet dhe mekanizmat ndërkombëtarë të ILO-së.

Shahini prezantoi zhvillimet në Kosovë në fushën e dialogut social dhe Këshillit Ekonomik-Social, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të punëdhënësve në proceset vendimmarrëse që lidhen me tregun e punës, ekonominë dhe politikat sociale.

Gjatë takimit u diskutua edhe për angazhimin ndërkombëtar të AKB-së dhe përfaqësimin e sektorit privat të Kosovës në Evropë, përfshirë pjesëmarrjen e saj në mekanizma dhe struktura relevante të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel.

Sipas AKB-së, rritja e përfaqësimit të punëdhënësve të Kosovës në nivel evropian dhe ndërkombëtar është e rëndësishme për avancimin e dialogut social, punësimin, investimet dhe zhvillimin ekonomik.

AKB ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për përfaqësimin e komunitetit të biznesit të Kosovës dhe forcimin e zërit të sektorit privat në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.