Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot propozim zyrtar për nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes propozim-ndryshimit të Ligjit, PDK synon kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Çka do të thotë kjo?
PDK synon që Dhomat e Specializuara të ushtrojnë mandatin e tyre vetëm për rastet që lidhen me pretendimet për trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, siç parashihet në Raportin e Dick Martyt, ish-senatorit zviceran.
Nëse projektligji i propozuar nga PDK kalon dhe Gjykatës Speciale i kufizohet mandati, atëherë rasti i katër ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të trajtohet normalisht nga shkalla e dytë e Gjykatës Speciale.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se procedurat aktuale të rasteve që janë në trajtim vazhdojnë deri në vendimin e Apelit, por nëse rasti kthehet në rigjykim, çështja nuk zhvillohet sërish para Dhomave të Specializuara.
Sipas Hamzës, në këtë rast, zbatohet juridiksioni i ri dhe vlerësohet nëse çështja bie nën juridiksionin e Speciales.
Nëse rasti nuk bie nën juridiksionin e saj, atëherë rasti vazhdon gjykimin në Kosovë.
“Projektligji trajton edhe rastet të cilat janë në proces. Sipas zgjidhjes së propozuar, procedurat aktuale vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së Apelit, por nëse një rast kthehet në rigjykim, ai nuk do të rifillojë nga e para në Hagë. Në atë moment, do të zbatohet juridiksioni i ri dhe kurdo që plotësohen kushtet rasti kalon për procedim në Kosovë”, tha Hamza.
Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së iniciuan sot kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Hamza tha se iniciativa ligjore nuk parasheh shuarjen e Gjykatës.