AAK-ja i kthen përgjigje ofertës së Kurtit për zgjedhjet e reja

leanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ka bërë kërkesë për një debat parlamentar për elaborimin e tre-vjetorit të Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për media të premten, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Aleanca do të prezantojë një rezolutë për dorëheqjen dhe rrëzimin e qeverisë.

“AAK-ja, në këtë debat do të prezantojë një rezolutë dhe kjo rezolutë është kështu: Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton këtë rezolutë: Të gjitha parametrat e deritashëm sot, në tre vjetorin e kësaj qeverie, kanë dëshmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria të përmbyll mandatin e saj me dorëheqje duke e votuar Kuvendi i Republikës së Kosovës mocionin për shkarkimin e kësaj qeverie dhe dy, pra hapi i dytë është që të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Tahiri.

Tahiri u shpreh se AAK-ja është konsistente në kërkesën e saj për rrëzimin e qeverisë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës para një viti e gjysmë ka lyp shkarkimin e kësaj qeverie dhe ka paraqit mocion për rrëzimin e kësaj qeverie”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë të dhënë për RTK-në të enjten, ka ofertuar partitë opozitare për zgjedhje të reja.

“Mund t’i bëjnë numrat bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë po them po shkojmë në zgjedhje kur të donë opozita”, ka thënë Kurti.