Berisha për propozimin e Ramës për Asociacionin: Është shkruar në Beograd

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me draftstatutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se kjo është ndërhyrje flagrante në punët e Kosovës.

Në fjalën e tij, Berisha e quajti Ramën si “vasal të Vuçiqit”, ndërsa e cilësoi si rrezik për rajonin propozimin për themelimin e Asociacionit.

Ish-kryeministri, tani lider opozitar, ka aluduar se draftstatuti i Asociacionit është hartuar në Beograd dhe i është dhënë kryeministrit Rama për t’ia servirur Kosovës.

“Argati i Vuçiçit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan, dhe pas Putinit të Madh edhe në Evropë, Aleksandër Vuçiq. Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë”, ka thënë Berisha për media.

Rama: Shqipëria ua ka dorëzuar krerëve evropianë draft-dokumentin për Asociacionin

Ai e ka cilësuar këtë si aktiv më të shëmtuar në historinë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rrama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës. Përpiqet të sfumojë problemet e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet”, ka thënë Berisha.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të procedojnë në bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA-në për ta shtensionuar situatën në veri.

“Nuk do dilja sot, por u detyrova kur pashë vasalin e Vuçiqit [Rama] në këtë histeri antikombëtare”, ka shtuar Berisha.