Borrell flet për takimin me Kurtin e Vuçiqin: Do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjes

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell është deklaruar për takimet që po zhvillohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Borrell ka shkruar se është koha për të filluar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit.

Ai ka theksuar se do të shohim sot nëse Kosova dhe Serbia janë të gatshme të marrin përgjegjësi.

“Po i pres Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, ka shkruar Borrell.

Ndryshe takimi trepalësh mes Kurtit, Vuçiqit dhe diplomatëve të BE-së ka nisur pak minuta më parë.

Pas përfundimit të këtij takimi është paralajmëruar një konferencë e Borrellit rreth orës 14:45. /Telegrafi/