Detajet e takimit Kurtit-Escobar: Kryeministri do njohje, ajo s’përmendet në planin e BE-së

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e kryeministrit Kurti me emisarin e SHBA-ve për dialogun, Gabriel Escobar.

Në një komunikatë për media pas takimit, Qeveria ka thënë se temë kryesore e diskutimit ishte takimi i nesërm me Vuçiqin në Ohër, shkruan www.gazetastop.com

Në këtë kuadër, takimi u përqëndrua në diskutimet për planin evropian, përgatitjet dhe pritjet nga takimi.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria tha se delegacioni i Kosovës udhëton në Ohgër me vullnet, qëllime dhe besim të mirë.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Pas takimeve të shumta në Strasburg me udhëheqës dhe deputetë të Parlamentit Evropian, ku u vlerësua lartë progresi demokratik i Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë me z. Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.