Një dietë e shëndetshme për zemrën nuk varet vetëm nga numri i frutave dhe perimeve që konsumojmë çdo ditë, por edhe nga llojet që zgjedhim. Studime të reja sugjerojnë se ushqimet e pasura me flavanole mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular.
Flavanolet janë përbërës natyralë me bazë bimore që veprojnë si antioksidantë dhe gjenden në ushqime si luleshtrydhet, mollët, kakaoja, çaji dhe disa fruta të tjera. Sipas studimeve të mëparshme, një konsum ditor prej rreth 500 mg flavanole mund të ulë ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës.
Një studim i publikuar në revistën shkencore Food and Function, i cili analizoi të dhënat e më shumë se 30 mijë pjesëmarrësve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, zbuloi se ndjekja e rekomandimit të përgjithshëm për të konsumuar pesë porcione fruta dhe perime në ditë nuk garanton domosdoshmërisht marrjen e mjaftueshme të flavanoleve.
“Flavanolet mund ta ulin ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, por vetëm nëse konsumoni mjaftueshëm prej tyre”, tha Dr. Javier Ottaviani, autori kryesor i studimit.
Sipas kërkuesve, shumë njerëz mendojnë se konsumimi i një sasie të madhe frutash dhe perimesh është i mjaftueshëm, por lloji i ushqimeve të zgjedhura ka një ndikim të madh në përfitimet shëndetësore.
Studimi tregoi se edhe mes personave që ndiqnin një dietë të shëndetshme dhe konsumonin rregullisht fruta e perime, më pak se një e katërta arrinin nivelin e rekomanduar të marrjes së flavanoleve.
Ekspertët theksojnë se për një zemër më të shëndetshme, krahas sasisë së ushqimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe cilësisë dhe përfshirjes së ushqimeve të pasura me përbërës mbrojtës, si flavanolet.