Dy ditë nga takimi i Ohrit: Lajçaku e Borrelli fillimisht i takojnë ndaras Kurtin e Vuçiqin

Edhe dy ditë kanë mbetur nga takimi i Ohrit që shumëkush po e pret. Saktësisht më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në pritjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. E në takimet me ndërmjetësues do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Agjenda e këtij takimi tashmë është bërë publike.

Kryefjalë e këtij takimi, pa dyshim, pritet të jetë plani për zbatimin e Propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të mërkurën e 15 marsit, zyrtarët e Bashkimit Evropian bënë të ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.

Të shtunën, duke filluar nga ora 10:00, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

E koha për takimin e përbashkët të palëve nuk është bërë ende e ditur nga zyrtarët e BE-së.

Takimi në Ohër vjen pas takimit të 27 shkurtit, të zhvilluar në Bruksel, ku të dyja palët janë pajtuar për propozimin franko-gjerman. Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti u shpreh se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mirëpo çka thonë tash nga Qeveria e Kosovës për takimin e së shtunës?

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimit në Strasburg me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister, ka folur për takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër dhe për planin e zbatimit të Propozimit evropian.

“Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshjes bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkohë vetë kryeministri Kurti thotë se ka nisur që të përgatitet mirë për takimin e Ohrit.

“Unë jam shumë aktiv tërë kohën, sepse Qeveria e Kosovës ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, por një pjesë të kohës, krejt çka mundem, përgatitem duke i lexuar dokumentet e deritanishme, por, gjithashtu, duke lexuar literaturë sa u përket bisedimeve dhe negociatave. Këtu më ndihmojnë shumë këshilltarët, edhe të mitë si kryeministër, por edhe këshilltarët e zv.kryeministrit Bislimi, i cili, përveç për integrime evropiane, është edhe zëvendëskryeministër”– deklaroi ai.

Tutje, Kurtit iu shtrua edhe një pyetje, e cila duket se kishte të bënte me takimin, megjithëse gazetarja nuk dëgjohet mirë, por ai u përgjigj si vijon: “Unë mendoj që fle mirë”.

ShBA-ja: Në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion

Për takimin e 18 marsit ka folur të mërkurën edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Gjatë një takimi me gazetarë, Hovenieri tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Më duhet të jem i qartë, ShBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”- tha Hovenier.

Megjithëkëtë, ambasadori u shpreh se gjasat për njohje reciproke tani mes dy vendeve “nuk janë shumë të mëdha” për shkak të qëndrimit të Serbisë.

E në takim, nga gazetarët, ambasadori Hovenier u pyet edhe nëse ShBA-ja e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket marrëveshjes së detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, dhe sa i përket marrëveshjes së përkohshme me njohje eventuale.

“Pozicioni i ShBA-së ka qenë dhe do të jetë i qartë. Nuk e shohim të ndryshojë, por duhet ta kemi parasysh momentin në të cilin jemi. Mendoj se realiteti – për arsye të ndryshme, por kryesisht për shkak të vendimit të marrë nga udhëheqja në Serbi – është se gjasat për arritjen e njohjes reciproke tani nuk janë shumë të mëdha” tha Hovenieri.

Megjithëkëtë, ambasadori tha se për momentin është e rëndësishme që të ketë edhe një ripozicionim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Kjo, sipas tij, do t’i kontribuonte shumë stabilitetit rajonal.