FSK-së i shtohen edhe 325 ushtarë


Pas nëntë javëve të trajnimit bazik, sot diplomoi gjenerata e dytë e Stërvitjes Ushtarake Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ceremoni në të cilën mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe përfaqësues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Diplomimi i 325 ushtarëve të cilët sot fillojnë detyrën fisnike për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje dhe ruajtjes së paqes së patjetërsueshme, shënon gati dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë, teksa siç tha kryeministri, kemi katërfishuar trajnimet e ushtarakëve në raport me qeverisjet e kaluara.

“Ushtria jonë po rritet e do të zhvillohet në vazhdimësi, me të rinj e të reja si ju që duan t’i shërbejnë atdheut, pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë, e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovë”, shtoi kryeministri Kurti.

Përkrahja e pakursyer e Qeverisë për ushtrinë është dëshmuar për çdo vit të qeverisjes, ku që nga viti i parë i qeverisjes, viti 2021, buxheti për ushtrinë u ngrit për herë të parë në vlerë mbi 100 milionë euro, derisa sivjet ai ishte mbi 200 milionë euro – apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s. 

Duke i uruar rekrutët e rinj, kryeministri Kurti shprehu krenarinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndjenjë e cila buron si rrjedhojë e një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime e pajisje të tjera.

“Nga sot jeni shtylla e radhës e strukturës së Forcës sonë. Së bashku do të rrugëtojmë drejt shërbimit në aleancën më të madhe ushtarake, në NATO, e njëkohësisht paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe më gjerë”, përfundoi kryeministri në betimin e ushtarëve të rinj.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani – Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, 

I nderuar zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, Shemsi Syla,

I nderuar Komandant i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuari zëvendëskomandant i KFOR-it, z. Federico Bernacca,

Të dashur ushtarë, nënoficer dhe oficerë,

Të nderuar rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjarë,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Jemi bashkë këtu për të kurorëzuar suksesin tuaj të treguar përgjatë 9 javëve të trajnimit bazik.

Grupi juaj është shumë i veçantë sepse jeni grupi më i madh që ka diplomuar ndonjëherë në ushtrinë tonë, gjithsej 325.

Nga sot ju filloni detyrën fisnike po aq edhe sfiduese për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje, dhe ruajtjes së paqes së patjetërsueshme.

U zotuam se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të Qeverisë. Këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë. Fillimisht në vitin e parë të qeverisjes, në vitin 2021 e ngritëm buxhetin për herë të parë në vlerë mbi 100 milionë euro. Nga ai vit buxheti për ushtri ka qenë përherë e më i madh e gjithmonë e në ngritje. Sivjet, ai ishte mbi 200 milionë euro – apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s. Pra dyfish më shumë vetëm në krahasim me vitin tonë të parë të qeverisjes.

Ndërkaq me ju sot po shënojmë pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë, teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarakëve në raport me qeverisjet e kaluara.

Ushtria jonë po rritet e do të zhvillohet në vazhdimësi, me të rinj e të reja si ju që duan t’i shërbejnë atdheut, pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë, e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovë.

Këtu para jush dua ta shpreh krenarinë që ndjej për Forcën e Sigurisë së Kosovës. E kjo ndjenjë krenarie nuk ka dyshim se është rrjedhojë e një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime e pajisje të tjera. Mirëpo më shumë se kaq investimin tuaj shpirtëror, gatishmërinë tuaj për t’iu përkushtuar atdheut, gatishmërinë për të mbrojtur atë dhe për të garantuar të ardhmen e tij.

Nga sot jeni shtylla e radhës e strukturës së Forcës sonë. Së bashku do të rrugëtojmë drejt shërbimit në aleancën më të madhe ushtarake, në NATO, e njëkohësisht paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe më gjerë.

Rekrutë, urime diplomimi. Qofshi gjithmonë faqebardhë!