Haradinaj: Kurti nuk i beson sistemit të shtetit, po krijon sistem paralel

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit, duke shtuar se ai po krijon sistem paralel. Sipas Haradinajt, Kurti edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes po angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve.

Ai përmendi rastin e Ridvan Muharremit, i arrestuar për për keqpërdorime në rezervat shtetërore.

“Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel. Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, ka shkruar deputeti i AAK-së në Facebook të hënën.

Ish-kryeministri shtoi se këto lidhje të shkurtra të kapjes që shtetit i kishte paralajmëruar edhe më parë.

“Këto janë ato lidhjet e shkurtra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pas ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”, tha Haradinaj.