Hoti e akuzon Qeverinë për dështim në investimet kapitale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria ka dështuar në investimet kapitale.

Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se rreth 70 për qind e projekteve të parapara për vitin 2023 as nuk kanë filluar.

Sipas tij, po përsëritet situata e vitit të kaluar. 

Ka shtuar se në periudhën janar-qershor 2023, nga rreth 850 projekte kapitale në nivelin qendror, 70% të projekteve as nuk kanë filluar dhe janë me 0% realizim.

“Në periudhën janar-qershor 2023, është shpenzuar vetëm 18% e buxhetit për investime kapitale. Shpenzimet kapitale sipas organizatave buxhetore janë shqetësuese:- Ministria e Bujqësisë 0%, – Ministria e Pushtetit Lokal 0%, – Ministria e Shëndetësisë 2% – Ministria e Ekonomisë 4%, – Ministria e Drejtësisë 4%, – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 5%, – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë 10%, – Ministria e Arsimit dhe Shkencës 14%, – Shërbimi Spitalor 12% – Ministria e Infrastrukturës 16%”, ka thënë ai.

Sipas tij, sikurse në dy vjetët e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim në mungesë të realizimit të investimeve kapitale.