Hovenier: Zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, zbatim i plotë i marrëveshjes

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ishte pjesë e takimeve të dyshes së emisarëve, Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Gabriel Escobar nga ShBA-ja, me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, ka treguar se për çfarë saktësisht u bisedua në këto takime.

Ai, përmes një postimi ne Twitter, ka shkruar se në këto takime u theksua nevoja për qetësim të menjëhershëm në veri të Kosovës, zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes për normalizim.

“Zhvilluam diskutime të rëndësishme me Escobarin e Lajçakun. Theksuam nevojën për qetësim të menjëhershëm në veri të Kosovës, përfshirë zgjedhje të reja e përfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes për normalizim”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Kërkesë të njëjtë patën edhe dyshja Lajçak e Escobar.

Madje Escobari theksoi se “Kurtit i mungon ndjenja e bashkëpunimit dhe koordinimit”. Ai tha po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet të dalin me një zgjidhje për qetësim të situatës deri nesër.