Në Kosovë rreth 1500 kompani të teknologjisë, 70% eksportojnë shërbime jashtë


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, vizitoi kompaninë e zhvillimit softuerik “LinkPlus IT”, ku u prit nga drejtuesit dhe punëtorët e saj.


Me këtë rast, kryeministri i përgëzoi drejtuesit për punën e tyre, duke e cilësuar teknologjinë informative si një prej fushave kyçe të zhvillimit të vendit në ofrimin e shërbimeve jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Në Kosovë janë rreth 1500 kompani të Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit, prej të cilave 70% eksportojnë shërbime jashtë. Këtë vit eksportet janë rritur për 113% në krahasim me vitin e kaluar.

Kryeministri potencoi faktin se Qeveria e Kosovës është duke punuar në transformimin digjital si një prej fushave ku të rinjtë e Kosovës janë mjaft të suksesshëm, e për këtë e kanë dhe do ta kenë mbështetjen e Qeverisë.

Gjatë vizitës, ai bashkë me ministren Rizvanolli, i njoftuan përfaqësuesit e kompanisë për punën që është duke u bërë në drejtim të hapjes së Parkut të Inovacionit në Bërnicë, kërkesë kjo e kahmotshme e sektorit të Teknologjisë së Informacionit, e për të cilën po punohet intensivisht që të realizohet sa më parë. Ai ftoi që të gjithë që të ndajnë idetë e tyre me Zyrën e Kryeministrit për fushat me interes të përbashkët e në shërbim të publikes, ndërkaq që ministri Murati shprehu vullnetin e qeverisë që transformimin digjital ta bëjnë bashkërisht.

Ministrja Rizvanolli përmendi inaugurimin e Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN) vitin e kaluar dhe rëndësinë e këtij institucioni, falë të cilit të gjitha universitetet, publike e private, kanë qasje jo vetëm në software bazike, por edhe trajnime të avancuara dhe laboratore virtuale.

Kompania “LinkPlus IT” është kompani e zhvillimit softuerik me zyre qendrore në Prishtinë, Shkup e së shpejti edhe në Tiranë, me një mision për të ndihmuar kompanitë e suksesshme të zgjerojnë kapacitetin e tyre teknik.


E themeluar në vitin 2013, është një ndër të parat në këtë fushë, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë përmes ofrimit të shërbimeve për klientët ndërkombëtarë me ofrimin e metodave të rritjes së produktivitetit si dhe me krijimin e ekipeve për ofrimin e zgjidhjeve të personalizuara të zhvillimit të softuerit. Brenda 10 viteve në tregun e IT-se ka zhvilluar projekte për gjigantët botërore në fushën automobilistike, ajrore, të marketingut etj.


Po ashtu, kjo kompani përgjatë 10 viteve ka ofruar mundësi trajnimi për më shumë se 150+ të rinjve në fushat e IT, duke krijuar gjenerata të reja dhe të gatshme për tregun e punës. Në të njëjtën kohë ka hapur vende pune, ku tani punëson 65 të rinj, të përfshirë në projekte të mëdha ndërkombëtare. Roli i eksportit për Kosovën është e një rëndësie të veçantë kështu ka bërë që veç “LinkPlus IT” të sjellë rreth 10 milionë euro vetëm në Kosovë, përmes zgjidhjeve inovative të ofruara dhe të zhvilluara nga të rinjtë prej Kosovës. Një rol të madh luajtën në fushën e arsimit, duke e transformuar të mësuarit tradicional në platforma të integruara të mësimit elektronik, veçanërisht gjatë pandemisë së vitit 2020.

Së fundmi, “LinkPlus IT” është shpërblyer me kategorinë “Impact Stars” nga programi Fast 50 për Evropën Qendrore nga Deloitte, për kontributin e dhënë në zgjidhje të cilat kontribuojnë direkt në një shoqëri, biznes dhe mjedis të digjitalizuar.